Rajon-Botë

Rajon-Botë

Macron në Poloni: Mbi ne dhe Gjermaninë bie barra për të ardhmen e Europës

Publikuar më 05 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Presidenti francez Emanuel Macron bëri thirrje për lidhje më të ngushta me Poloninë në një Bashkim Europian pa Britaninë e Madhe tashmë, por dhe duke pasur parasysh sigurinë europiane dhe marrëdhëniet me Rusinë.

Pas bisedimeve në Varshavë me presidentin polak Duda, Macron gjithashtu kërkoi një përmirësim të lidhjeve tre palëshe me Gjermaninë duke kërkuar një samit para verës.

Ai tha se tre vendet kanë mbi supe përgjegjësinë për të ardhmen e Europës dhe duhet të respektojnë këtë rok, sidomos pas largimit të britanikëve.

Pas takimit me kryeministrin polak, Macron u shpreh se udhëtimi i tij në Poloni ishte shumë i veçantë sidomos pas Brexitit, sidomos sepse tregon vullnetin mes partnerëve strategjikë, fuqive të mëdha europiane, për të qenë të afta për dialog frytdhënës. Kjo për të bërë Europën më të fortë, më sovrane dhe më të bashkuar.

Nga ana e tij Duda u shpreh se 27 vendet anëtare të BE-së duhet të jenë më efikase në mënyrë që asnjë vend tjetër të mos dojë të largohet. Më parë Macron ka qenë kritik për qeverinë e djathtë polake dhe politikave të saj për të mos pranuar refugjatë në vend, si dhe për përpjekjet për të vënë nën kontrollin politik sistemin e drejtësisë.

Paraardhësi i tij Fransua Holand, anuloi një vizitë në 2016-ën pasi Varshava anuloi një plan për blerjen e helikopterëve francezë. Macron këmbënguli se vizita e tij do të ishte një pikë kthese në marrëdhëniet dy palëshe dhe se çdo keqkuptim do të sqarohej. Marrëdhëniet me Rusinë zunë një vend të rëndësishëm në bisedimet mes Macron dhe Duda, me këtë të fundit që kërkoi më shumë sanksione ndaj Moskës për aneksimin e Krimesë. Por Franca është ende në kërkim të dialogut.

Macron u shpreh se Franca nuk ishte bërë proruse, siç pretendojnë disa, por ajo nuk është antiruse, thjesht është proeuropiane.

Ai shtoi se dialogu që ai dhe kancelarja Merkel zhvilluan me palën ruse, kishte shënuar progreset e para ndër të cilat dhe shkëmbimin e të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës.

Duda u shpreh se vizita e parë nga një president francez në Poloni pas shumë viteve, kishte një rëndësi të madhe për vendin.

Në delegacionin francez që shoqëron Macron janë dhe Minsitri i Jashtëm, ai Mbrojtjes, i Financës dhe i Zhvillimit./abcnews.al