Rajon-Botë

Rajon-Botë

Trumpi shkarkon ekspertin kryesor të Shtëpisë së Bardhë që dëshmoi kundër tij

Publikuar më 08 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump shkarkoi ekspertin kryesor të Shtëpisë së Bardhë për Ukrainën, nënkolonelin Alexander Vindman, i cili dëshmoi kundër Trumpit gjatë procesit të hetimit që çoi në ngritjen e akuzave ndaj tij.

Nënkoloneli u shoqërua jashtë Shtëpisë së Bardhë ku punonte në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha avokati i tij David Pressman në një deklaratë.

"Në mendjen e amerikanëve nuk ka asnjë dyshim se përse atë e shkarkuan, përse ky vend tani ka një ushtar më pak që i shërben në Shtëpinë e Bardhë. Nënkolonelit Vindman iu kërkua të largohej sepse tha të vërtetën," u shpreh zoti Pressman, përcjell Zëri i Amerikës.

Nënkoloneli Vindman dëshmoi gjatë hetimit në Dhomën e Përfaqësuesve, proces që synonte ngritjen e akuzave kundër Presidentit Trump në nëntor. Ai tha se kërkesa që Presidenti Trump i bëri presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy në një telefonatë të korrikut 2019 ishte e papërshtatshme, kërkesa që më pas u bë qendra e hetimit.

Vindman tha para një komisioni të drejtuar nga demokratët se "Nuk po u besonte veshëve për ato që po dëgjonte" gjatë thirrjes telefonike. Presidenti Trump i kërkoi presidentit Zelenskiy të fillonte hetimet ndaj rivalint demokrat Joe Biden si dhe rreth aludimeve se kishte qenë Ukraina dhe jo Rusia pas ndërhyrjeve në zgjedhjet presidenciale të 2016s në SHBA.

Presidenti Trump u shpall i pafajshëm në gjyqin në Senatin e kontrolluar nga republikanët të cilët votuan kundër akuzave për shpërdorim pushteti dhe pengim të Kongresit nga Presidenti Trump.

I pyetur më herët të premten në lidhje me njoftimet se ai mund ta shkarkonte Nënkolonelin Vindman, Presidenti Trump u tha gazetarëve: "Nuk jam i kënaqur me të. Pse, ju mendoni se jam i kënaqur me të?"

Njoftohet ndërkaq se Vindman do të riemërohet në Departamentin e Mbrojtjes.