Rajon-Botë

Rajon-Botë

Lavrov thotë se fitorja e Assadit është “e pashmangshme” në Idleb

Publikuar më 16 Shkurt 2020

Artikuj të ngjashëm

Kreu i diplomacisë ruse, Serguei Lavrov deklaroi sot se fitorja e presidentit Bachar al-Assad ishte "e pashmangshme" në provincën e Idlebit, bastioni i fundit i xhihadistëve dhe rebelëve në Siri, ku Damasku po përpiqet të rimarrë kontrollin.

"Fitorja mbi terrorizmin është e pashmangshme", deklaroi ai në Konferencën e Mynihut për Sigurinë, takim i përvitshëm mbi çështjet diplomatike dhe të mbrojtjes.

Regjimi sirian ka ndërmarrë që prej disa muajsh një ofensivë, me mbështetjen e aviacionit rus, në provincën e Idlebit, i kontrolluar pjesërisht nga ish-dega e Al-Kaedës në Siri.

Në kuadër të një marrëveshjeje armëpushimi dhe qetësimi të situatës arritur në 2018 mes Moskës dhe Ankarasë, që mbështet grupet rebele, Turqia disponon 12 pika vëzhgimi në provincën e Idlebit.

Luftimet e përgjakshme mes forcave turke dhe atyre siriane kanë shkaktuar vdekjen e 14 ushtarëve turq këto ditët e fundit.

"Ne kemi marrëdhënie shumë të mira, por kjo nuk do të thotë se kemi të njëjtat pikëpamje për gjithçka", theksoi Sergei Lavrov, i cili u takua në Mynih me homologun turk, Mevlut Cavusoglu.