Rajon-Botë

Rajon-Botë

Në SHBA hyn në fuqi ndalimi i udhëtimit për evropianët

Publikuar më 15 Mars 2020

Artikuj të ngjashëm

Ndalimi i udhëtimit nga Evropa drejt SHBA-së, pjesë e strategjisë amerikane për të parandaluar përhapjen e koronavirusit vdekjeprurës, ka hyrë në fuqi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi ndalimin të mërkurën në mbrëmje gjatë një fjalimi nga Zyra Ovale.

Ndalimi prej 30 ditësh bllokon vizitorët e huaj nga 26 vende të Evropës. Fillimish Britania dhe Irlanda u lanë jashtë, por të shtunën Nënpresidenti Mike Pence bëri të ditur se duke nisur nga e hëna do të ndalohen udhëtimet drejt SHBA-së edhe nga këto dy vende.

Për shtetasit amerikanë dhe rezidentët e përhershëm që ishin jashtë vendit në kohën e njoftimit të Presidentit Trump fillimisht nuk ishin të sigurtë nëse do të lejoheshin të ktheheshin në vend pas të premtes.

Ata janë të përjashtuar nga ndalimi, por kjo nuk ishte e qartë nga fjalimi i presidentit. Shumë prej tyre u përpoqën të rezervojnë fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara, para se ndalimi të hynte në fuqi.

Mark, një rezident amerikan që ishte në Spanjë në kohën e njoftimit të Presidentit Trump, i tha agjensisë së lajmeve Reuters se ai u kthye "pak më parë" sesa e kishte planifikuar.

Presidenti Trump mori vendimin për ndalimin pa u këshilluar me ndonjë zyrtar evropian.

"Bashkimi Evropian nuk e pranon faktin se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të vendosur një ndalim udhëtimi u mor në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultime," thanë Ursula von der, presidente e Komisionit Evropian dhe Charles Michel, president i Këshillit Evropian, në një deklaratë të përbashkët.

"Koronavirusi është një krizë globale, jo e kufizuar në një kontinent, dhe kërkon bashkëpunim dhe jo veprim të njëanshëm," thanë von der Leyen dhe Michel. "Bashkimi Evropian është duke ndërmarrë veprime të forta për të kufizuar përhapjen e virusit."

Të gjithë amerikanëve që kthehen nga Evropa do t'u kërkohet të vetë-karantinohen për 14 ditë pas mbërritjes në SHBA, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.