Rajon-Botë

Rajon-Botë

BE-ja e synon mbylljen e plotë të kufijve për ta luftuar koronavirusin

Publikuar më 17 Mars 2020

Artikuj të ngjashëm

Komisioni Evropian është duke planifikuar që t'i ndalojë të gjitha udhëtimet jourgjente nëpër zonën Schengen në kohën kur shumë shtete i kanë mbyllur kufijtë e tyre veç e veç si pjesë e masave parandaluese kundër koronavirusit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se të martën do të kërkojnë nga liderët e shteteve që ta zbatojnë këtë masë. "Sa më pak udhëtime, aq më shumë mund ta parandalojmë virusin", tha ajo.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha më herët se të gjithë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian do të mbyllen për udhëtarë, shkruan "BBC", transmeton Gazeta Express.

"Konkretisht, të gjitha udhëtimet mes vendeve të tjera dhe shteteve të BE-së do të ndalohen", tha presidenti francez gjatë një fjalimi të transmetuar të hënën në televizion.

Nga kjo masë nuk do të preken banorët afatgjatë, shtetasit e vendeve anëtare dhe diplomatët. Kufirin do të mund ta kalojnë edhe punëtorët shëndetësorë dhe personat që transportojnë mallra, bëri të ditur Von der Leyen gjatë një konference me video-lidhje.

Ky vendim do të qëndrojë në fuqi për të paktën 30 ditë, por mund të zgjatet edhe më shumë, varësisht nga situata e krijuar.