Rajon-Botë

Rajon-Botë

Kongresi Amerikan miratoi rezolutën kundër "deklaratave raciste" të Trumpit

Publikuar më 17 Korrik 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kongresi Amerikan miratoi një rezolutë në të cilën dënon deklaratat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ndaj katër kongresisteve demokrate si "komente raciste, që kanë legjitimuar frikën dhe urrejtjen ndaj amerikanëve të rinjë dhe atyre më ngjyrë".

Rezolutën e votuan 240 kongresistë ndërkaq 187 ishin kundër. Dhoma e Përfaqësuesve kontrollohet nga demokratët. Pro rezolutës votuan edhe katër republikanë dhe një ligjvënës i pavarur.

Në rezolutë thuhet se "emigracioni ka përcaktuar çdo fazë të historisë amerikane", duke shtuar se "patriotizmi nuk është i përcaktuar nga raca ose përkatësia etnike, por nga përkushtimi ndaj idealeve kushtetuese të barazisë, lirisë, përfshirjes dhe demokracisë".

Këto komente nga Shtëpia e Bardhë janë të turpshme, neveritëse dhe raciste, tha gjatë debatit kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Republikanët thanë se komentet e Pelosit kanë shkelur rregullat. Udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve Kevin McCarthy tha se deklaratat e Pelosit ishin kundër "rendit dhe mirësjelljes".

Por, disa orë para debatit në Dhomën e Përfaqësuesve, presidenti Trump tha se ai nuk është racist. "Nuk kam asnjë kockë raciste në trupin tim", tha presidenti Trump.

Si erdhi deri të kjo situatë?

Gjatë fundjavës së kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump përmes disa postimeve në Twitter, sulmoi katër kongresistet, duke u thënë të "kthehen dhe të ndihmojnë në rregullimin e vendeve të krimit dhe krejtësisht të shkatërruara, nga të cilat kanë ardhur".

Komentet e presidentit Trump u cilësuan nga demokratët si "raciste", pasi bëhet fjalë për ligjvënëse me ngjyrë.

Derisa nuk përmendi emrat, Trump duket se i referohej kongresisteve Alexandria Ocasio-Cortez të Nju Jorkut, Ilhan Omar nga Minesota, Ayanna Pressley nga Massachusetts dhe Rashida Tlaib nga Michigan - një grup i njohur si "skuadra" që ka qenë shumë kritik ndaj Trumpit dhe gjithashtu udhëheqjes demokrate të Kongresit.

"Zoti president, vendi prej të cilit kam ardhur dhe vendi me të cilin ne të gjithë betohemi, është Shtetet e Bashkuara. Ju jeni të zemëruar për shkak se ju nuk mund të mendoni për një Amerikë që na përfshinë edhe neve", shkroi më pas kongresistja, Ocasio-Cortez.

Të martën, të katër kongresistet, përmes një konference për media, i bënë thirrje popullit amerikan që të mos bie në kurthet e retorikës së presidentit.

Ato thanë se duan të rivendosin vëmendjen te politikat e presidentit.

"Kjo është thjesht një përçarje dhe një histeri nga kaosi i tmerrshëm dhe kultura e korruptuar e kësaj administrate.

Të katër gratë këmbëngulën që kujdesi shëndetësor, dhuna me armë dhe në veçanti, ndalimet e migrantëve në kufirin amerikan me Meksikën duhet të jenë në fokus.

Rritet popullariteti i Trumpit

Sipas një sondazhi të bërë nga agjencia Reuters, mbështetja për presidentin Trump, shënoi rritje në mesin e republikanëve, pas komenteve të tij për kongresistet demokrate.

Sondazhi kombëtar i realizuar të hënën dhe të martën tregoi mbështetjen midis anëtarëve të partisë së tij Republikane me 5 për qind duke arritur në 72 për qind, krahasuar me një sondazh të ngjashëm që u zhvillua javën e kaluar. (REL)