Rajon-Botë

Rajon-Botë

Miliona fëmijë nga 156 shtete protestojnë ndaj ndryshimeve klimatike

Publikuar më 21 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Një thirrje e nisur nga adoleshentja suedeze, Greta Thunberg, vitin e kaluar, ka treguar rezultat këtë të premte.

Miliona protestues, shumica fëmijë, kanë protestuar në 156 shtete kundër ndryshimeve klimatike, transmeton KTV.

Protestuesit kërkuan përfundimin e përdorimit të karburanteve fosile dhe drejtësi, sa i përket çështjes së ndryshimeve klimatike.

Në New York, më shumë se një milion fëmijëve iu lejua të mungonin në shkollë, për të marrë pjesë në protestë.

Një organizim i jashtëzakonshëm u pa edhe në Australi. Qindra-mijëra fëmijë dolën në rrugë duke protestuar.

"Në shkollë, na mësojnë për efektet e ndryshimeve klimatike dhe se duhet reaguar ndaj tyre. Por, në të njëjtën kohë, po shoh se njerëzit që janë përgjegjës, nuk po bëjnë asgjë. Për mua kjo është konfuze dhe jam sot këtu për të reaguar", ka thënë Gina Hale, nxënëse nga Australia.

Në Evropë, protesta më e madhe ishte në Londër. Me pankarta dhe thirrje për reagim global, protestuesit thanë se nuk do të ndalen së protestuari, deri në arritjen e qëllimit.

Me ndryshimet klimatike përballen edhe minatorët.

Duke gërmuar në minierë, minatori Bent Jakobsen nxjerr copa qymyrguri dhe i copëton më pas.

"Dëgjoj gjithçka që ata thonë për ndryshimin e klimës, por di që nga e kaluara kemi pasur dimra shumë të butë, veçanërisht në Svalbard. Ne përdorim pjesën më të madhe të qymyrit në industrinë metalurgjike, për të cilën kemi nevojë absolutisht. Kështu që, kemi nevojë për qymyr për të bërë vetura dhe telefona celularë. Por kjo është gjëja për të cilën njerëzit nuk mendojnë. Ende nuk kemi ndonjë zëvendësim adekuat", u shpreh Bent Jakobseni, minator norvegjez.

Që nga viti 1970, temperaturat mesatare vjetore janë rritur për 4 gradë Celsius në Svalbard.

Përndryshe, klima e planetit ka ndryshuar vazhdimisht me kalimin e kohës.

Temperatura mesatare globale sot është rreth 15 gradë Celsius.

Sipas shkencëtarëve, ndryshimi global i temperaturës në sipërfaqe deri në fund të shekullit 21, me gjasë, do të tejkalojë 1.5 gradë Celsius.

Pragu prej 2 gradë Celsius ishte konsideruar prej kohësh si pikë e rrezikshme.

Iniciativa e protestave të nxënësve si masë vetëdijësuese për ndryshimet klimatike nisi nga 16-vjeçarja suedeze, Gretha Thunberg, në atë që tani njihet si "Fridays for future".