Sport

Sport

Kosova në pritje të medaljeve të reja nga Evropiani

Publikuar më 20 Prill 2017

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Majlinda Kelmendi është favorite absolute për të mbrojtur titullin e Evropës, por pa gjasa për medalje nuk janë as Distria Krasniqi e Nora Gjakova, shkruan sot Koha Ditore.

Të tri xhudistet rrugëtimin drejt medaljes do ta kenë të enjten (sot), bashkë me Fjolla Kelmendin. Dy garues të tjerë të Kosovës, Loriana Kuka e Akil Gjakova, do të garojnë të premten në evropianin që do të mbahet në Varshavë.

Shorti për Evropian është tërhequr të mërkurën dhe Kosova pret më shumë se një medalje nga kjo ngjarje.

"Shorti është mesatar, kurse rreth pritjeve do të shohim kur të fillojnë garat. Përgatitjet kanë shkuar mirë dhe me rëndësi është që mos të kthehemi pa medalje", ka thënë trajneri Driton Kuka.

Kelmendi raundin e parë të kategorisë deri në 52 kg do ta kalojë pa luftë, kurse në të dytin do të përballet me fituesen e duelit mes britanikes Cheslie Giles dhe polakes Karolina Pienkowska. Po ashtu edhe Krasniqi do të startojë prej raundit të dytë në këtë kategori, duke pritur fituesen e duelit Bernadett Keliger (Hungari) - Agata Perenc (Poloni).

Në grupin e Krasniqit gjendet edhe fituesja e medaljes së argjendtë olimpike, italiania Odette Giuffrida. Në bazë të shortit, në finale të kësaj kategorie mund të takohen dy xhudistet nga Kosova: Kelmendi - Krasniqi.