Sport

Sport

Ramos: Messi i bënte presion gjyqtarit në tunel, por nuk e di nëse ka ndikuar në vendimet e tij në pjesën e dytë

Publikuar më 07 Maj 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Sergio Ramos ka thënë se Lionel Messi i kishte bërë presion gjyqtarit gjatë ndeshjes ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit.

Superderbi botëror përfundoi me rezultat 2-2, ndërsa pati reagime të shumta për lëshime në ndarjen e drejtësisë.

"Ishte një ndeshje e mirë nga ne për të treguar se donim t'i mposhtnim kampionët. Në përgjithësi, luajtëm mirë, që nga minuta e parë deri në të fundit. Nxorëm një barazim, kemi dashur t'ua ndërpritnim rrjedhën pa humbje, por jemi duke u përgatitur për finalen (e Ligës së Kampionëve)", ka thënë kapiteni i Realit.

Ai e ka komentuar fërkimin me Luis Suarezin duke thënë se nuk e kishte prekur aspak uruguaianin dhe se sulmuesi katalunas pëlqen ta humbë kohën me gjeste të tilla.

Sa u përket momenteve kundërthënëse në ndarjen e drejtësisë, Ramos është shprehur: "Për këtë gjë janë gjyqtarët e specializuar për atë punë. Messi bënte presion ndaj gjyqtarit në tunel".

"Nuk e di nëse kamerat e kanë kapur dhe nuk e di në se ka pasur ndikim në vendimet e gjyqtarit në pjesën e dytë".

"I tillë është futbolli dhe gjithçka duhet të mbetet në fushë. Derisa nuk të lëndon, duhet të kesh respekt", ka deklaruar spanjolli.