Sport

Sport

Neymar pranon se ekzagjeroi me simulime në Botëror

Publikuar më 31 Korrik 2018

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Pas kritikave të shumta për simulime në botërorin "Rusia 2018", në të cilin Përfaqësuesja e Brazilit pati paraqitje zhgënjyese, sulmuesi Neymar ka pranuar se ka ekzagjeruar me shtrirjet e panevojshme në fushë. Ai ishte kapiten dhe lider i Brazilit, që u eliminua në çerekfinale nga Belgjika.

Neymar ka marrë kritika të ashpra për simulime, shkruan Reuters, transmeton "Koha Ditore".

Neymar, në një videoxhirim të postuar në llogaritë e tij në rrjetet sociale, fillimisht ka folur për lëndimet që i ka marrë nga goditjet e më pas ka pranuar se e ka ekzagjeruar me simulimet në Rusi. Ai ka thënë se simulimet nuk i konsideron pjesë të lojës së tij, por nganjëherë është i detyruar të reagojë në atë mënyrë për ta mbrojtur veten nga ndërhyrjet e shumta dhe të ashpra.

"Dhimbje në nyja, gjunjë dhe shpinë. Shenja në këmbë. Të gjitha këto i kam nga ndeshjet në Rusi", tha Neymar. "Ju mund të mendoni se e ekzagjeroj me simulime dhe nganjëherë vërtetë e ekzagjeroj. Por, fakti është se unë po vuaj në fushë".

Neymar ka thënë se ende po vuan eliminimin e hershëm të Brazilit, pasi synimi i tij në botërorin "Rusia 2018" ka qenë të arrijë të paktën deri në finale.

"Ende nuk po arrij të kapërdij eliminimin në Botëror. Mirëpo më duhet të vazhdoj tutje për t'u bërë gati për edicionin e ri".

26-vjeçari u kthye në fushë pak ditë para fillimit të Botërorit, pasi prej muajit shkurt qëndroi jashtë fushës për shkak të lëndimit. Ai arriti të rikuperohet në kohë rekorde pas operimit, por Neymar ka thënë se nuk e pati lehtë të adaptohet.