Sport

Sport

Unitedi në çerekfinale të "Championsit" me fitore dramatike në Paris

Publikuar më 07 Mars 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Manchester Unitedi ka përmbysur humbjen si vendase në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve ndaj Paris Saint-Germainit duke u kualifikuar në çerekfinale me fitore dramatike në kryeqytetin francez.

Pas humbjes 0 me 2 si vendas, Unitedi arriti të fitojë 1 me 3 si mysafir, me golin e fundit që erdhi tek në sekondat e fundit të ndeshjes.

Romelu Lukaku shënoi dy golat e parë për "Djajtë e Kuq" në pjesën e parë. Golin e vetëm për PSG-në e shënoi Juan Bernat.

Kur ndeshja shkonte drejt fundit me PSG-në si ekipin kualifikues, përmes sistemit VAR në minutën e dytë shtesë, Unitedi fitoi një penalti. Ajo u konkretizua nga Marcus Rashford duke e çuar Unitedin tutje me rezultat të përgjithshëm nga dy ndeshjet 3 me 3, por që kalimin e siguron falë më shumë golave të shënuar si mysafir.

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka thënë se klubi i tij ka besuar se mund të përmbyste humbjen e ndeshjes së parë me Paris Saint-Germainin për të kaluar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

"Djajtë e Kuq" ishin mposhtur 0 me 2 në shtëpi, por fituan sonte 1 me 3 si mysafirë të PSG-së për të shkua tutje me përmbysje dramatike.

"E dinim gjithmonë se kjo ishte e mundshme. Ky është klubi, kjo është ajo që bëjmë ne. Ky është Manchester Unitedi. Dy të rinjtë Chong dhe Greenwood që hynë në lojë na dhanë më shumë energji kur na duhej goli", ka thënë ai.

Ai ka lavdëruar Marcus Rashfordin që shënoi golin e fundit të ndeshjes në fund përmes penaltisë.