Sport

Sport

Xhaka e Rashica deklarohen para miqësores në Prishtinë, nderohen me "Çelësin e Prishtinës"

Publikuar më 15 Qershor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Dy kapitenët në përballjen miqësore që do të zhvillohet sot në Prishtinë, Granit Xhaka i Arsenalit dhe Milot Rashica i Werder Bremenit janë shprehur tejet të lumtur që do të luajnë ndeshjen humanitare.

Ylli i Arsenalit, Xhaka, ka thënë se është kënaqësi për të që po vjen të luajë në Prishtinë.

"Është kënaqësi të jem këtu me të gjithë, shokë, miq për një lojë humanitare. Kam shumë raporte të mira me Milotin, Ledrin e Haxhiun. Faleminderit që më keni dhënë mundësinë të luaj këtu", ka thënë Xhaka në një konferencë për media.

Xhaka do të jetë kapiten i njërit ekip, teksa "rival" do të jetë Rashica që udhëheq ekipin tjetër.

"Edhe për mua është kënaqësi shumë e madhe që kam mundësinë të jem këtu në këtë ditë të rëndësishme për ne. Shpresoj të kënaqen publiku e të fitojë më i miri", ka thënë Rashica.

Në mesin e shumë yjeve sportive e fytyrave publike që do të paraqiten në ndeshje do të jetë boksieri Haxhi Krasniqi.

"Ndjenjë dhe kënaqësi e madhe të jem në mesin e yjeve të futbollit botëror që vijnë nga shteti jonë. jam shumë i kënaqur që marr pjesë aty, e sidomos për Kosovën me zemër e me shpirt do të jemi gjithmonë aty", ka deklaruar ai.

E reperi Ledri Vula ka thënë se është ndjenjë e veçantë që po iu bashkohet në fushë "atyre që i shohim duke luajtur nëpër botë".

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në konferencë tha se ka pas interesim të jashtëzakonshëm për këtë ndeshje, dhe beson që ajo do të kthehet në ndeshje vjetore.

"Do të nisim nga dhjetori për të organizuar që të kemi pjesëmarrje edhe më të madhe. U kërkoj falje edhe shumë lojtarëve sepse s'kemi mundur t'i inkuadrojmë të gjithë", ka thënë ai.

Ndeshja zhvillohet sot me fillim prej orës 20:00 në "Fadil Vokrri".

Të dy futbollistët, Xhaka dhe Rashica, janë nderuar nga Ahmeti me "Çelësin e Prishtinës" për promovim të kryeqytetit në botë.