Sport

Sport

Gazeta italiane: Dybala i thotë "Jo" Man Unitedit

Publikuar më 02 Gusht 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Gazeta e madhe italiane, La Gazzetta dello Sport, pretendon se Paulo Dybala ia ka bërë të qartë Juventusit se nuk e dëshiron transferimin në Manchester Unitedin, duke e rrezikuar kështu ardhjen e Romelu Lukakus.

Dy klubet - Manchester Unitedi dhe Juventusi - dhe menaxheri i Romelu Lukakus janë pajtuar për një marrëveshje për shkëmbimin e lojtarëve. E vetmja pengesë tani është Paulo Dybala.

Burime të ndryshme të mediave italiane pretendojnë se Romelu Lukaku ka arritur marrëveshje personale me Juventusin, për nëntë milionë euro në vit. Megjithatë, transferimi i tij s'mund të kompletohet pa arritur marrëveshje edhe me Dybalan, që po i kërkon deri në 20 milionë euro në vit.

Tani, Gazzetta dello Sport raporton se për t'u arritur një gjë e tillë do të duhet një kohë më e gjatë, pasi që Dybala ia ka dhënë përgjigjen e tij të parë drejtuesve të Juventusit. Ai e ka refuzuar mundësinë të transferohet te "Djajtë e kuq".

Dybala arriti në Torino të enjten në mëngjes nga Argjentina dhe ai shkoi drejt e në shtëpinë e vet, e jo në kampin stërvitor të Juventusit. Megjithatë, ai pritet të takohet me trajnerin Maurizio Sarri sot.

Sipas "Le 10 Sport", njëra ndër arsyet prapa ngurrimit të Dybalas është mundësia që Paris Saint-Germaini t'i bëjë ofertë më vonë gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Në anën tjetër, Tuttosport, Goal dhe media të tjera raportojnë se Juventusi është i gatshëm t'ia japë Manchester Unitedit edhe Mario Mandzukicin, por ende nuk është i qartë roli i tij në këtë marrëveshje.

Kroati 33-vjeçar e nënshkroi një kontratë të re me Juventusin në prill dhe kjo kontratë është e vlefshme deri në qershor të vitit 2021. Megjithatë, ai nuk pritet të ketë vend në formacionin e parë të Maurizio Sarrit.

Për të janë interesuar edhe Bayern Munichu, Borussia Dortmundi dhe Paris Saint-Germaini, pasi që ai i shënoi dhjetë gola dhe i bëri shtatë asiste në 33 paraqitjet për Juventusit sezonin e kaluar.