Sport

Sport

Xhudisti iranian i brengosur për sigurinë, pasi refuzoi të hiqte dorë nga Botërori

Publikuar më 03 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Xhudisti nga Irani, Saeid Mollaei, thotë se frikësohet për veten dhe familjen e tij, pasi kishte injoruar thirrjet e autoriteteve iraniane që të tërhiqej nga Botërori i xhudos në Japoni.

Mollaeit i ishte thënë të tërhiqej nga përballja me kampionin olimpik nga Rusia, Khasan Khalmurzaev për të evituar një përballje eventuale me izraelitin Sagi Muki më vonë në Botëror, shkruan sot Koha Ditore.

Sportistët iranianë e kanë të ndaluar të garojnë në çfarëdo sporti kundër sportistëve nga Izraeli. Mollaei e mposhti rusin në luftën e tretë e më pas arriti deri në gjysmëfinale.

"Kam mundur të bëhem kampion. Kam stërvitur fort. Por Komiteti Olimpik i Iranit dhe Ministria e Sportit e Iranit më thanë të mos garoj, dhe se duhet të respektoj ligjin. Unë jam luftëtar. Unë dua të garoj sa herë që mundem. Jetoj në një shtet, ligjet e të cilit nuk ma lejojnë këtë. Nuk kemi zgjidhje tjetër, të gjithë sportistët duhet ta respektojnë këtë ligj. Ndonëse autoritetet e vendit tim më kanë thënë se mund të kthehem pa ndonjë problem, unë jam i frikësuar. Kam frikë se çfarë mund t'i ndodhë familjes sime dhe çfarë mund të më ndodhë mua", ka thënë Mollaei.

Iraniani, që u eliminua në gjysmëfinale të kategorisë deri 81 kilogramë nga belgu Matthias Casse, është larguar nga gara në Japoni dhe aktualisht gjendet në Gjermani..