Sport

Sport

Mediumi anglez: Futbolli i jep krahë Kosovës, pas daljes nga historia e përgjakshme

Publikuar më 08 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Mediumi i madh anglez, Telegraph, e ka publikuar një artikull për historinë e Kosovës dhe arritjet e saj të fundit në futboll, të titulluar "Futbolli i jep krahë Kosovës, pas daljes nga historia e përgjakshme". Tekstin e plotë mund ta lexoni në vijim.

Shefki Kuqi, ai sulmues i mrekullueshëm i dekadës së kaluar, ishte në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, në atë ditë qershori të vitit të kaluar kur Zvicra e mposhti Serbinë në Kupën e Botës dhe ai ende nuk arrin t'i përshkruajë me fjalë emocionet që i kishte ndierë, shkruan Telegraph, transmeton Gazeta Express.

"Ju thjesht duhet të shkoni në Youtube dhe ta dëgjoni se si çmenden komentatorët", deklaron ai. "Në qytet, njerëzit festuan gjithë natën, në vetura e në rrugë, pasi që djemtë nga Kosova i shënuan golat, për Kosovën ishte si Kupa jonë e Botës". Ai ndalet për pak kohë, "Për Kosovën, ajo ishte finalja jonë e Kupës së Botës".

Për ta kuptuar pse ju duhet ta dini historinë dhe, si shumë kosovarëve të tjerë, edhe jeta e Kuqit u formësua nga lufta në Ballkan.

Ai luajti për 10 klube vetëm në futbollin anglez dhe u pensionua pas një karrierë 20-vjeçare, por ai flet për atë ndeshje në Kaliningrad i mahnitur. Tani, në jetën e këtij vendi të ri, për të cilin futbolli është një fuqi e madhe kulturore, do të ketë një moment tjetër historik: ekipi kombëtar i Kosovës do të luajë kundër Anglisë për herë të parë - në kualifikimet për EURO 2020, të martën në Southampton.

Verën e kaluar, ishin golat nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri në minutat e fundit që ia fituan Zvicrës një ndeshje, ku kundërshtari e kishte një rëndësi që as nuk ka nevojë të sqarohet. Ylli i Arsenalit u lind në Basel dhe prindërit e tij janë shqiptare e madje babai i tij ishte i burgosur politik dhe për këtë arsye e kishte shpërngulur familjen e tij nga Prishtina. Shaqiri u lind në lindje të KOsovës dhe u shpërngul si njëvjeçar me familjen e tij në Zvicër. Kurqi ishte 12-vjeçar kur familja e tij, shqiptare, u shpërngul nga Kosova, një udhëtim traumatizues me nënën e tij përmes Beogradit të rrezikshëm në rrugën për t'u takuar me babanë e tij në Finlandë.

"Në kohën time, nuk kisha pasur opsion", thotë Kuqi përderisa flet për karrierën në Kosovë. Ai u bë i njohur si golashënues në Finlandë në vitet e 90-ta, para se t'i bashkohej Stockport Countyt në vitin 2001. Ai është mirënjohës për gjithçka që i dha futbolli finlandez dhe anglez, pasi që anëtarësimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA, në vitin 2016, erdhi shumë vonë për karrierën e tij.

Kosova e luajti ndeshjen e parë zyrtare, të njohur nga FIFA, para më pak se tre vjetësh, një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës kundër Finlandës dhe që nga atëherë kosovarët e kanë fituar grupin e tyre në Ligën e Kombeve. Ata janë të pamposhtur që 15 ndeshje dhe të shtunën e mposhtën Republikën Çeke me rezultat 2:1. Njohja erdhi shumë vonë për një tjetër gjeneratë të shqiptarëve - Xhaka, Shaqiri, Valon Behrami, Adnan Januzaj luajnë për Kombëtare të tjera - por, edhe kështu, kombi me 1.8 milion banorë është bvërë konkurrues në vetëm pak kohë.

Është e pamundur të flasësh për Kosovën pa folur për luftën dhe bombardimet e NATO-s që i detyruan forcat serbe të tërhiqen.

Pas asaj ndeshjeje kundër Serbisë verën e kaluar, Xhaka dhe Shaqiri u gjobitën nga FIFA pasi që festuan duke e bërë shqiponjën me duar, pasi që festimi e përfaqësonte flamurin e Shqipërisë dhe konsiderohej deklaratë politike. Për ta përshkruar marrëdhënien e Kosovës me Serbinë në aspektin sportiv është plotësisht joadekuate për shkak të asaj që ishte bërë në territorin kosovar gjatë luftës.

Është një trashëgimi shumë më komplekse dhe më e dhimbshme sesa çfarëdo gjë tjetër me të cilën kemi të bëjmë në futboll, përkundër që futbolli është mënyra më e mirë e Kosovës për ta shprehur kombësinë e vet. Serbia ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe dy skuadrat nuk mund të luajnë kundër njëra-tjetrës për shkak të rregullave të UEFA-s.

Kushërinjtë e Kuqit qëndruan në Kosovë dhe e përjetuan luftën, ashtu siç bëri edhe gruaja e tij. "Ajo i ka parë njerëzit, shumë njerëz, duke u qëlluar me armë brenda një apo dy minutave. Ajo ka parë gjithçka. Është e vështirë të kuptohet ajo ndjenjë nëse nuk ke parë diçka të tillë. Ato u larguan nga një vend në tjetrin në tentim për të mbijetuar. Ne nuk flasim për luftën sepse pikëllohemi".

Ai thotë se ka mirëkuptim për futbollistët të lindur në vitet e 90-ta që nuk mund ta prisnin Kosovën për ta nisur karrierën ndërkombëtare. "Xhaka dhe Shaqiri u rritën në Zvicër, në vendin që u dha atyre shumë mundësi. Nuk është e lehtë t'ua kthesh shpinën. Ti nuk e di se sa Kupa të Botës do të kesh, nuk është se luan futboll derisa të vdesësh".

Nga skuadra aktuale e Kosovës ai e zgjedh Milot Rashicën, mesfushor në Werder Bremen, dhe Arbër Zenelin, sulmues i Reims, që të dy për momentin të lënduar. Mesfushori i Sëansea Cityt që më parë luante në Manchester City, Bersant Celina, është një tjetër yll. Por, ata janë me fat me këtë gjeneratë të re. Me pranimin e Kosovës në UEFA, tani ata e kanë mundësinë të garojnë në Evropë.

Kishte gjenerata të plotë të futbollistëve kosovarë që e humbën këtë mundësi për shkak të luftës dhe, në shumë aspekte, atëherë 12-vjeçari Kuqi ishte njëri prej të paktëve me fat. Ai arriti ta ketë një karrierë të mrekullueshme përmes talentit dhe përkushtimit dhe që kur u pensionua në vitin 2016 e ka marrë edhe një licencë të FIFA-s.

Ky regjion i ish-Jugosllavisë është njëra ndër qendrat më të mëdha të botës për prodhimin e futbollistëve elitarë, i papenguar nga lufta që ishte shumë shkatërruese për shumë njerëz. E fundit prej vendeve që janë shfaqur nga ai regjion është Kosova, ku Kuqi thotë se "futbollin e kemi në gjak". Duke parë se sa shumë kanë luftuar për ta pasuar ekipin e vet kombëtar, është e vështirë ta kundërshtosh.