Sport

Sport

Kosovë magjike, e gjunjëzon edhe Çekinë në "Fadil Vokrri"

Publikuar më 08 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kosova vazhdon serinë magjike. 15 ndeshje pa humbje, si asnjë kombëtare tjetër. Dardanët, pasditen e kësaj të shtune e mposhtën në stadiumin "Fadil Vokrri" kundërshtarin direkt për kualifikim në Euro 2020, Çekinë, me rezultat 2:1. Tani ëndrra bëhet gjithnjë e më e prekshme, Kosova ka përshkuar më shumë se gjysmën e rrugës për ta siguruar kualifikimin.

Dardanët e drejtuar nga strategu zviceran Bernard Challandes kryesojnë grupin me 8 pikë, derisa me fitoren e radhës vazhdojnë ta lumturojnë dhe bëjnë krenar një komb të tërë. Kjo është Kosova jonë, entuziaste, guximtare, me karakter e dinjitet dhe ëndërrimtare e gjërave të mëdha. Ndeshjen e radhës Kosova do ta luajë kundër Anglisë, të martën në mbrëmje, në stadiumin e Southamptonit, "St. Mary's".

Çekia u  shfaq një rival shumë i fortë, por vullneti dhe zemra e Dardanëve ishte më e madhe. Çekët na vendosën nën presion që nga fillimi dhe qysh në minutën e 16-të kaluan në epërsi me golin e shënuar nga Patrick Schick. Mirëpo, ky gëzim i mysafirëve zgjati vetëm katër minuta, kur Vedat Muriqi, i shërbyer nga Rashani nga e majta shënoi për barazimin 1:1, për të çuar peshë tërë stadiumin. Deri në fund të pjesës së parë Dardanët luajtën shumë mirë dhe bën presion në portën çeke, por shifrat mbetën të pandryshuara.

Edhe pjesa e dytë nisi më një rast të mirë për çekët, por Hadërgjonaj shmangu golin duke evituar topin nga vija fatale. Më pas Dardanët të përkrahur fuqishëm nga tifozët në stadium arritën të gjejnë golin e dytë dhe të fitores, kur Vojvoda në minutën e 66-të shfrytëzoi mirë harkimin e Berishës, për të realizuar një tjetër fitore, e cila mund të rezultojë edhe historike për kualifikimin në Evropian.  Në minutat e mbetura presioni i çekëve ishte i hatashëm, por Dardanët tanë ishin maksimalisht të përqendruar dhe e administruan mirë lojën për ta mbyllur ndeshjen me fitore të madhe.

Para kësaj ndeshje presidenti Agim Ademi ia dhuroi një dhuratë speciale ish-futbollistit të Kombëtares, Enis Alushi, për kontributin e dhënë në krijimin e kësaj kombëtareje që po bëhet e madhe.