Sport

Sport

Trajneri i Anglisë: Sfida me Kosovën njëra prej më të vështirave

Publikuar më 09 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, e ka vlerësuar lart Përfaqësuesen e Kosovës para përballjes në mes tyre të martën. Ai beson se "Tre Luanët" i pret një punë mjaft e vështirë në stadiumin e Southamptonit, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e Euro 2020.

Gareth Southgate mendon se Kosova do të jetë rivali më i afërt dhe kryesor i Anglisë në rrugën për t'u kualifikuar në Euro 2020.

Të dyja ekipet kombëtare do të përballën në mes vete të martën mbrëma në Southampton. "Tre Luanët" i kanë shënuar tri fitore në tri ndeshjet e para, ndërsa së fundmi e mposhtën Bullgarinë 4:0 të shtunën që shkoi.

Tash, trajneri anglez insiston se ekipin anglez e pret ndeshja më e vështirë në stadiumin "St. Mary's" të Southamptonit. "Pres që kjo ndeshje të jetë njëra prej më të vështirave me të cilat jemi përballur në këtë kampanjë", ka thënë Southgate.

"Kosova e mposhti Republikën Çeke në fundjavë dhe besoj se kjo skuadër është sfiduesi ynë më i afërt në këtë grup, më shumë se secili ekip tjetër", vazhdoi ai.

"Do të përballemi me një ekip mjaft të mirë, i cili ka disa lojtarë të shquar individualisht, të cilët po luajnë në disa prej ligave më të forta në Evropë. Natyrisht, ata kanë edhe krenari të jashtëzakonshme për të luajtur për vendin e tyre të ri", nënvizoi Southgate, transmeton reporteri.

"Ata më kanë impresionuar vërtet me ndeshjet e tyre në këto kualifikime, e po ashtu më kanë pëlqyer shumë edhe në Ligën e Kombeve, e cila ua dha atyre vetëbesimin", shton ai.

Ndeshja ndërmjet Anglisë dhe Kosovës, e vlefshme për Grupin A, do të zhvillohet të martën mbrëma duke filluar nga ora 20:45.