Sport

Sport

Kthimi i fuqishëm i liderit të pakontestueshëm të mesfushës

Publikuar më 15 Shtator 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Pa luajtur asnjë ndeshje në edicionin e ri (2019\2020), Valon Berisha është kthyer në përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Dhe kthimi i tij doli të jetë shumë i suksesshëm.

Me gjithë mungesën e gjatë, Berisha ishte vendimtar në dy ndeshjet që Kosova i luajti këtë muaj në kuadër të eliminatoreve për "Euro 2020".

Kosova më 7 shtator fitoi 2:1 ndaj Çekisë në Prishtinë, ndërsa më 10 shtator pësoi 5:3 nga Anglia në Southampton. Me gjithë humbjen, paraqitja e Kosovës është vlerësuar, sidomos për pjesën e dytë. Dhe Berisha, që sa herë është i gatshëm, është lider i pakontestueshëm i mesfushës së Kosovës, ka lënë gjurmën e tij në të dyja këto takime, shkruan sot Koha Ditore.

Për shkak të mungesës së gjatë, Berisha ndaj Çekisë u aktivizua si rezervist. Në minutën e 51-të e zëvendësoi Elbasan Rashanin, që kishte asistuar në golin e parë. Në minutën e 67-të Berisha kishte marrë përsipër ekzekutimin e goditjes nga këndi dhe e gjeti mjeshtërisht në zonë Mërgim Vojvodën që shënoi golin e fitores.

Ndaj Anglisë, të martën, Valon Berisha startoi dhe shënoi gol pas vetëm 34 sekondave, me goditje mjeshtërore nga zona.

Shënoi edhe golin e dytë të Kosovës, në minutën e 49-të. Prapë mori top në zonë, por këtë herë u lirua nga një mbrojtës dhe me goditje të saktë dërgoi topin në rrjetë.

Dy gola e një asistim vendimtar shënojnë kthimin e Berishës në fushën e blertë dhe te përfaqësuesja e Kosovës.

26-vjeçari kështu vetëm është konfirmuar si lojtar shumë i rëndësishëm i mesfushës së Kosovës, ndonëse mbeti pak në hije gjatë serisë së fundit të rezultateve pozitive.