Sport

Sport

Kosova mposhtet nga Anglia 0-4, shpresat e kualifikimit barten tek Liga e Kombeve

Publikuar më 17 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kombëtarja e Kosovës e ka përjetuar humbjen e parë para tifozëve të vet në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë. Ka qenë pikërisht Kombëtarja e Anglisë, e cila iu gëzua fitores me rezultat 4:0 në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Euro 2020.

Ndeshja nisi me një spektakël në tribuna nga ana e tifozëve, të cilët i ofruan mikpritje të ngrohtë "Tre Luanëve", derisa gjatë intonimit të himneve në tribunat e stadiumit u shpalosën flamujt e Kosovës dhe të Anglisë, derisa grupi i tifozëve "Dardanët" shpalosën koreografinë me mbishkrimin "Welcome & Respect".

Në pjesën e parë futbollistët tanë e administruan mirë lojën, ndonëse ishin anglezët ata që u shfaqën më të rrezikshëm. Shifrat u zhbllokuan në minutën e 32-të kur realizoi Harry Winks. Me këtë rezultat u mbyllën 45 minutat e para, derisa në pjesën e dytë Dardanët u përpoqën të bëjnë diçka më tepër, por mungesat e shumta e bën të pamundur gjetjen e golit.

Ndërkohë, në minutat e fundit futbollistët tanë sikur i lëshoi përqendrimi dhe pësuan edhe tre gola tjerë. Fillimisht Harry Kane realizoi në minutën e 79-të, kurse më pas Rashford në të 83-tën dhe Mount në të 90-tën, duke vendosur epilogun e kësaj përballje, 4:0.

Përkundër kësaj humbje futbollistët tanë u duartrokitën gjatë nga të gjithë të pranishmit për të gjitha emocionet e dhuruara në këtë cikël kualifikues, derisa në tribunën lindore u shpalos edhe një banderolë me fjalën "Faleminderit".

Tani Kombëtarja e Kosovës do të jetë plotësisht e përqendruar në "play-off"-in e Ligës së Kombeve, nëpërmjet të cilës garë synohet kualifikimi në Euro 2020. Në gjysmëfinale të kësaj gare Kosova do të luajë kundër Maqedonisë së Veriut në muajin mars, pastaj me fituesin Gjeorgji-Bjellorusi. (kosovain.eu)