Sport

Sport

Southgate s’e ka ndër mend të largohet nga Anglia

Publikuar më 19 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Gareth Southgate planifikon të qëndrojë trajner i Kombëtares së Anglisë për Kupën e Botës 2022 nëse ai e ndien që ka "ngrohtësi" që të vazhdojë në atë post, edhe pse ai është i vetëdijshëm se kjo gjë mund të varet nga paraqitjet e skuadrës së tij në EURO 2020.

Anglia e siguroi një vend në Kampionatin Evropian 2020 duke fituar me rezultat 7:0 kundër Malit të Zi javën e kaluar, para se ta mbyllte kampanjën kualifikuese në Prishtinë me fitore 4:0 kundër Kosovës, transmeton Gazeta Express.

Pasi i arritën gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2018, ishin në mesin e katër më të mirave të Ligës së Kombeve dhe u kualifikuan lehtësisht në EURO 2020 si fitues të Grupit A, Southgate e pranon se skuadra e tij do të jetë ndër favoritet në EURO.

Dhe ish-trajneri i Middlesbrough është i vetëdijshëm për mënyrën se si pozita e tij mund të ndryshojë nëse Anglia dështon të lërë përshtypje të mira vitin e ardhshëm.

"Kur e kalon një javë si kjo e imja, ti ndien se njerëzve po u largohet dashuria për ty dhe nëse nuk ka ngrohtësi që ti të vazhdosh, atëherë kjo mund të fillojë të ketë ndikim mbi skuadrën", ka thënë Southgate.

"Kështu që unë jam realist për mënyrën se si gjërat mund të ndryshojnë shumë shpejt. Për mua, duhet të mendoj se për çfarë do të vijë tash dhe unë e di se në fund ne gjithmonë do të gjykohemi nga garat".

"Ne duhet ta pranojmë që Anglia është ndër favoritet. Ne duhet të shkojmë përpara duke pasur vetëbesim, por edhe duke qenë të vetëdijshëm se ka shumë gjëra në të cilat duhet të përmirësohemi. Por, mendoj se të gjitha ekipet më të mëdha do të ndihen në të njëjtën mënyrë".

"Lojtarët e kanë besimin dhe ne duhet të vazhdojmë t'ua japim atë besim, por ne s'u tregojmë gënjeshtra. Ne jemi shumë të sinqertë për paraqitjet tona dhe për ndeshjet e radhës me të cilat do të përballemi".