Sport

Sport

Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Rusia refuzojnë futbollin me Kosovën

Publikuar më 20 Nëntor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Eroll Salihu, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë të mërkurën se Kombëtarja dhe ekipet e Kosovës në futboll, në kuadër të garave kualifikuese në ligat evropiane, por edhe kualifikimet për kampionatet evropiane, nuk do të mund të zhvillojnë ndeshje si nikoqir apo mysafir ndaj Serbisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Rusisë.

"Ky është vendim i Federatës Evropiane të Futbollit - UEFA dhe ai është i vlefshëm, përveç në rastet kur përfaqësueset e këtyre vendeve ose ekipet e tyre arrijnë në fazën eliminatore ose finale të ndonjë gare apo kampionati, atëherë ndeshjet zhvillohen në terrene neutrale", ka thënë Salihu.

"Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë kërkuar me shkrim që të evitohen takimet e ekipeve, por edhe përfaqësueseve të Kosovës në ndeshjet kualifikuese. Në momentin e fundit edhe Rusia ka kërkuar ngjashëm. Me një vendim të Komitetit urgjencë të UEFA-s, është vendosur që edhe Rusia të mos luajë me ekipet e Kosovës në vend të vet, por të paktën në terrene neutrale. Ky është edhe një përjashtim tjetër", ka thënë Salihu.

Ai ka shtuar se deri në fazën finale të garave do të veprohet kështu, por në fazën finale të kampionateve evropiane, takimet nuk mund të evitohen, sepse konsiderohet që po luhen në terrene neutrale. (REL)