Sport

Sport

Eufori në Bergamo pas mrekullisë së Atalantas

Publikuar më 13 Dhjetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Futbollistët e Atalantas janë kthyer në shtëpi duke u pritur si heronj nga rreth 2.000 tifozë që kanë luftuar të ftohtit në Alpe, në veri të Italisë, për t'i pritur ata, pasi skuadra nga Bergamo arriti të kualifikohej në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve në debutimin e saj në këtë garë. Kualifikimin e arriti ndonëse humbi tri ndeshjet e para të fazës së grupeve.

Trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini, e ka quajtur këtë "fitore për futbollin italian", pasi Atalanta u është bashkuar skuadrave rivale nga Serie A si Juventus e Napoli në fazën nokaut, ndërsa Interi është i vetmi nga Italia që është eliminuar në fazën grupore, pas humbjes 2:1 që pësoi në shtëpi të martën mbrëma ndaj Barcelonës, shkruan sot Koha Ditore.

Lojtarët kanë përshëndetur adhuruesit nga një autobus i hapur, pasi lanë aeroportin e Bergamos në orët e hershme të së enjtes. Tifozët ndezën fishekzjarrë, këndonin dhe mbanin pano. Kualifikimi i Atalantas është quajtur nga mediumet italiane si një mrekulli.

"Atalanta historike" ka qenë titulli në ballinën e "La Gazzetta dello Sportit".

"Gasperini është magjistar", ka shkruar në ballinë gazeta "Corriere dello Sport".

Atalanta, një klub me histori 112-vjeçare, është dashur të priste deri te ndeshja e katërt e grupit për të fituar pikën e parë, duke barazuar ndaj Manchester Cityt. Kualifikimin e siguroi me fitoren 3:0 në udhëtim të mërkurën ndaj Shakhtarit të Donetzkut.