Sport

Sport

Hamilton mbyll stinorin me fitore

Publikuar më 02 Dhjetor 2019

Artikuj të ngjashëm

Shiko arkivën e lajmeve

Kampioni i gjashtëfishtë i Formula 1, Lewis Hamilton, ka mbyllur stinorin në mënyrë impresive të dielën, duke arritur te një fitore dominante në Abu Dhabi, në garën e tij të 250-të.

Britaniku 34-vjeçar i Mercedesit udhëhoqi çdo xhiro të garës nga fillimi deri në fund, ndërsa e nisi nga pozita e parë startuese, duke arritur edhe pikën shtesë për rrethin më të shpejtë në garë, ndërsa ka konfirmuar supremacinë e tij nën ndriçimin e reflektorëve në shtegun Yas Marina.

Piloti i Red Bullit, Max Verstappen, përfundoi në vend të dytë me një disavantazh prej 16.7 sekondave, duke siguruar vendin e tretë në këtë stinor të F1.

Piloti i Ferrarit, Charles LeClerc, përfundoi i treti, ndërsa Valtteri Bottas i Mercedesit i katërti, ndonëse kishte startuar nga pozita e fundit.

"Ishte një vepër mjeshtërore", i tha inxhinieri Hamiltonit nëpërmjet radiolidhjes, duke e uruar për triumfin. "Duket sikur nuk je djersitur fare".

"Unë mund t'u siguroj se po djersij", është përgjigjur Hamilton.

Për Hamiltonin ishte fitorja e 84-t në karrierë, e pesta në Abu Dhabi, që është rekord, dhe e 11-ta e stinorit, raporton Reuters, transmeton Koha Ditore. Po ashtu, Hamilton ka barazuar rekordin e tij të Formula 1 prej 33 garave rresht duke përfunduar me pikë të fituara.

Me 11 fitore në stinor ai ka barazuar edhe rekordin e tij më të mirë në një stinor, që e kishte arritur më 2014 dhe 2018, por ka mbledhur shifër rekorde prej 413 pikëve. Hamilton është vetëm shtatë fitore larg rekordit të përgjithshëm të Michael Schumacherit prej 91 fitoreve.

Mercedesi ka fituar titullin e kampionit si në konkurrencë individuale ashtu edhe në atë të konstruktorëve në gjashtë stinor rresht, një gjë e paprecedentë.
"Ndonëse kishim siguruar më herët titullin, unë doja të mbaja kokën poshtë dhe të shihja nëse mund të mësonim më tepër nga kjo veturë e bukur që është vepër arti. Ndihem shumë i lumtur", ka thënë Hamilton.

Hamilton ka shikuar dy 22-vjeçarët që i kishte përkrah në podium dhe shikon para te përballjet e tjera me ta.
"Unë ndihem i privilegjuar që jam në një periudhë kohore ku ata janë këtu. Shpresoj të jetë më ngushtë vitin e ardhshëm", ka thënë britaniku.

Derisa Hamilton ishte dukshëm para, Verstappen dhe Leclerc luftuan për vendin e dytë. Ishte duel të cilin e fitoi dukshëm Verstappen në fund.

"Ne kishim një temp mjaft të mirë, por Mercedesi dhe Lewisi ishin tepër të shpejtë", ka thënë Verstappen.

Leclerc, që ka fituar dy gara këtë stinor dhe ka fituar më së tepërmi gara kualifikuese, ende ka parë anët pozitive.

"Jam shumë i lumtur si ka shkuar ky vit", ka thënë piloti nga Monako.

Alexander Albon i Red Bullit përfundoi i pesti, ndërsa Sergio Perez i Racing Point i gjashti.