Sport

Sport

Ylli i SHBA-së lë anash karrierën për t'iu përkushtuar reformës në drejtësi

Publikuar më 25 Janar 2020

Artikuj të ngjashëm

Një superyll i basketbollit në kulmin e karrierës ka vendosur që për edicionin e dytë rresht të heqë dorë nga karriera në WNBA dhe gjithashtu nga pjesëmarrja në lojërat olimpike "Londra 2020" për t'u fokusuar në reformën e drejtësisë penale.

Maya Moore, që ka katër tituj kampioni në WNBA, dy medalje të arta olimpike, dy tituj bote dhe është kampione e dyfishtë në NCAA, ka thënë se do të fokusohet për vitin e dytë rresht për të luftuar për të drejtat e një të burgosuri, pasi ajo beson se ai ishte dënuar gabimisht, shkruan sot Koha Ditore.

Moore 30-vjeçare, që luan në rolin e qendrës te Minnesota, shkaku i kësaj çështjeje do të humbasë edhe Lojërat Olimpike që mbahen këtë verë në Tokio të Japonisë. Ajo po punon për lirimin e Jonathan Irons, një person për të cilin beson se është i pafajshëm për krimin për të cilin u dënua me burgim.

"Unë jam me të vërtetë mirë tash me jetën time dhe nuk dua të ndryshoj asgjë", ka insistuar Moore. "Basketbolli nuk ka qenë gjithmonë gjëja kryesore në mendjen time. Unë isha në gjendje të pushoja paksa nga ky sport dhe të lidhem me njerëzit përreth meje pas shumë kohësh larg tyre. Tani, unë dua ta ndihmoj Jonathanin dhe nuk më intereson për momentin karriera ime. Ka kohë që po merrem me çështjen e tij dhe dua ta fitoj, sepse gjithmonë kam dalë fituese si lojtare".

Edhe te skuadra Minnesota Lynx janë pajtuar me rrugën që ka zgjedhur superylli i tyre. Kështu që, edhe këtë edicion kjo skuadër do të jetë pa Mooren.