Zemaj thotë se janë të detyruar t’i ashpërsojnë masat në Kosovë

armend zemaj

Pas rritjes alarmante të shifrave të të vdekurve dhe të të infektuarve me koronavirus në Kosovë, autoritetet shtetërore kanë paralajmëruar marrjen e masave më rigoroze për të parandaluar rritjen e mëtutjeshme të rasteve të reja.

Në një konferencë për media para Klinikës Infektive të QKUK, ministri i Shëndetësisë, së bashku edhe me krerë të institucioneve të reja, kanë thënë se tash e tutje do të dënohet secili person që nuk i respekton masat dhe rekomandimet.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se nëse sot vendoset që të kthehen masat izoluese, do të kishte zvogëlim të rasteve, por sipas tij, sa do t’i dëmtonte kjo qytetarët e Kosovës dhe ekonominë e vendit.

Sipas tij, do të shtohet edhe numri i inspektorëve në terren nga kjo javë.

“Jemi të detyruar që të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme konform legjislacionit në fuqi, që ata që nuk i zbatojnë masat dhe rekomandimet do të marrin dënime të merituara”, ka thënë Zemaj.

Ai ka thënë se në dy ditët e fundit ka pasur mos respektim të rekomandimeve nga gastronomët.

“Unë isha dëshmitar vet pas vizitave në terren dhe nga mesazhet që mora. Ne jemi të detyruar që të ashpërsojmë masat. Nuk do të lejojmë të rëndohet situata me COVID-19. Po rritet mundësia e infektimit edhe të pacientëve edhe të personelit mjekësor”, ka thënë ai.

Ndërkohë, drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, si dhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) kanë bërë thirrje te qytetarët dhe po ashtu gastronomët të respektojnë masat e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ushtruesi i detyrës i drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se situata është mjaft e rëndë.

“Nëse nuk ndalet ky trend i të infektuarve me mbi 200 raste në ditë, atëherë situatën do ta kemi më të keqe. Po mundohemi të rrisim kapacitetet, të sigurojmë oksigjen e kujdes të duhur. Nuk është situatë normale. Kemi ngarkesë të madhe. Kemi ankth të gjithë dhe këtë ankth duhet ta përcjellim te qytetarët në mënyrë sa më të sinqertë që të respektojnë masat”, ka thënë Krasniqi.

 


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: [email protected]


Për ne